Kryesore » 2012 » Dhjetor » 20 » Ujq me kokë të zezë në Lekas të Korçës
1:20 PM
Ujq me kokë të zezë në Lekas të Korçës
Tufa ujqish janë shfaqur në një nga komunat malore të Korçës, duke vrarë jo vetëm bagëti të imta, por edhe të trasha.Madje, shfaqja e ujqërve në këtë stinë dimri po kërcënon edhe banorët e mbetur atje. Të kërcënuar ndihen edhe ata që shkojnë përkohësisht. Dukuria e pazakontë që po shënohet në fshatra të Komunës së Lekasit, konfirmohet nga banorët e zonës, të cilët shprehen se ujqërit lëvizin me tufa.

Rreziku nga ujqërit

"Vitin e kaluar janë regjistruar disa raste të dëmtimit të lopëve nga ujqërit, por edhe këtë stinë dimri po vërehet e njëjta dukuri”, thotë Leko Kreka, një banor i zonës së Oparit. Sipas tij, Komuna e Lekasit përfshin dhjetë fshatra dhe banorët e mbetur jetojnë vetëm me rritje bagëtish. I kthyer këtë fillimjave nga vendlindja e tij, ai tregon se më shumë sesa problemet shëndetësore për të moshuarit e zonës nga bllokimi disaditor i rrugës prej reshjeve të dëborës dhe ngricave, i ka shqetësuar kërcënimi i ujqërve. "Nuk guxon kush që të udhëtojë i vetëm në fshatra të zonës së Lekasit, sepse sulmojnë ujqërit që prej kohësh kanë vrarë edhe lopë”, thotë banori i kësaj zone, i cili ka vizituar vendlindjen për gjah në këtë stinë dimri me dëborë. Ai shtoi se një kope ujqish prej 6 kafshësh të egra, qarkullon në fshatra të Komunës së Lekasit, si Tudasi, Marjani etj., duke dëmtuar bagëtitë dhe madje duke u afruar edhe shumë shtëpive të banorëve atje. "Vitin e kaluar ka qenë një kope ujqish, por një prej këtyre kafshëve të egra u vra dhe tufa u zhduk. Këtë dimër po na kërcënon kopeja e ujqërve të tjerë”, thotë Kreka. Sipas tij, rreziku që vjen nga kjo kope ujqish nuk është as nga shterimi i ushqimit të tyre, sepse në këtë zonë malore të Rrethit të Korçës ka ende pyje, dhe as nga mungesa e ushqimit për egërsirat. "Nuk është parë deri më tani që ujku të sulmojë mbi lopët. Kjo po ndodh këto dy vitet e fundit, kur bagëtitë e trasha që nxjerrin banorët e fshatrave të Lekasit për kullotë, sulmohen nga ujqërit në mëngjes herët apo në mbrëmje kur i kthejnë nga kullota. Ujku është një kryehajdut dhe di kur e ku të sulmojë”, shton banori i zonës, shkruan sot gazeta Shqip.

Më e çuditshmja, sipas tij, është se në këto vitet e fundit janë parë ujqër që ndryshojnë shumë nga tiparet prej atyre kafshëve të egra dhe të të njëjtit lloj që kanë qenë të pranishëm në pyjet e kësaj zone. "Ujk me kokë të zezë ne nuk kemi parë ndonjëherë. Ujk që të sulmojë jo vetëm dhentë dhe që nuk trembet më nga qentë që ruajnë kopenë e tyre, por edhe lopët, nuk kishim parë deri tani. Ata banorë që janë ende atje, tashmë kanë frikë se ujqërit do t’u shkojnë edhe në shtëpi”, thotë Kreka. Në të gjithë këtë situatë që zotëron tashmë fshatrat e Komunës së Lekasit, sipas disa banorëve të zonës po ndodh diçka e pazakontë. Sipas tyre, nuk është thjesht stina e vështirë e dimrit, rrafshimi i pyjeve dhe gjuetia që i bën ujqërit të sulmojnë kafshë nga më të ndryshmet, por edhe krijimi i një race të paparë më parë të kësaj egërsire. Vetë banorët, ndërsa tregojnë se kanë ndeshur në ujq me kokë të zezë që nuk i kanë parë vitet e tjera, shtojnë në rrëfimet e tyre se kanë dëgjuar për zhdukjen e një rezervati të këtyre kafshëve diku në Greqi dhe ardhjen prej andej të egërsirave të mbijetuara. Banorët mendojnë se me ardhjen e racave të tjera të ujqërve nga ajo që njihet si habitat apo zonë e ekzistencës së tyre, mund të ketë pasur një ndërthurje të racave të ujqërve andej e këtej kufirit, por edhe me raca të qenve të staneve. Sido që të jetë, ajo që duket më e habitshme për banorët e fshatrave malore të Komunës së Lekasit, është fakti se po ndeshin në ujqër që presin jo vetëm kope të dhenve, por më së shumti tufa të vogla lopësh, duke vënë në alarm edhe vetë njerëzit e paktë të këtyre fshatrave, që detyrohen të qarkullojnë në dimër, si dhe persona që preferojnë gjuetinë gjatë kësaj stine në këtë trevë.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus