Kryesore » 2012 » Maj » 5 » Njeriu Më i Pasur në Botë?
10:36 PM
Njeriu Më i Pasur në Botë?
Gjersa po përgatitet për ta marrë mandatin e tij të tretë si prijës i Rusisë, Vladimir Putinin e pret një jetë luksoze e ngjashme me atë të carëve. Në vitin 2011 Vladimir Putini u paraqit para gazetarëve duke dalë nga ujërat e errëta të Detit të Zi, teksa mbante në dorë mbetje të zbuluara të një thesari të humbur. Më vonë u mor vesh se ky zbulim nuk ishte gjë tjetër veçse një përpjekje për të përmirësuar imazhin publik. Në fakt ai nuk kishte gjetur kurrfarë artefaktesh. Sidoqoftë, veprimi i tij e arriti qëllimin e vet. Edhe një herë nëpër media po qarkullonin imazhe të Putinit të zhveshur; imazhe të këtij mjeshtri të xhudos, këtij zbutësi tigrash, këtij lideri të paprekshëm të Rusisë.

Por ishte një tjetër veprim i ngjashëm i cili do duhej t’i shërbente përmirësimit të imazhit të tij publik – dhënia spontane e 5.500 funteve britanike një çuni të vogël nga fshati – ajo që i bëri të gjithë të pyesin veten nëse Putini ka ndonjë thesar të fshehur të vetin.

Si është në gjendje që një politikan që ka pagë të deklaruar vjetor prej rreth $140,000 (£88,000) t’ia mundësojë vetes një jetë përplot orë luksoze, jahte dhe pallate?

Bureau ka vendosur të hetojë këtë çështje dhe ka xhiruar një film dokumentar mbi këtë temë për emisionin People & Power të televizionit Al Jazeera. Ne udhëtuam nga Moska deri në Shën Peterburg për të zbuluar origjinën dhe shkallën e pasurisë së Putinit.

Fitimi i deklaruar

Më 6 mars, Putini u rizgjodh President i Rusisë. Ai e mori prapë postin që e kishte lëshuar në vitin 2008, kur iu desh të largohet pasi që ligjet e vendit nuk ofronin mundësi të mbajtjes së më shumë se dy mandateve presidenciale të njëpasnjëshme. Ai ndërkohë mbajti postin e kryeministrit të vendit.

Para hyrjes në garën e fundit zgjedhore, Putinit iu desh ta deklarojë pasurinë e tij. Deklarata e tij duket tejet modeste për një lider botëror.

Analisti politik Stanislav Belkovsky thotë se Putini mund të ketë pasuri që tejkalon shifrën prej 70 miliardë dollarësh, gjë që do ta bënte atë njeriun më të pasur në botë.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor të Rusisë, Putini ka $179,612 në llogari bankare dhe ka fituar rreth gjysmë milioni dollarë gjatë katër viteve të fundit. Bashkëshortja e tij Lyudmila ka të depozituara $261,541 në katër llogari të ndryshme bankare.

Fitimet e deklaruara të Putinit janë poashtu modeste. Ai ka thënë se ka aksione në një garazh publik, banesa në Moskë dhe Shën Peterburg dhe një parcelë toke prej 1,500 metrash katrorë në afërsi të Moskës.

Por, ekziston brenga se Putini nuk e ka deklaruar tërë pasurinë e tij.

Orët

Një nga arsyet për këtë brengë është fakti se përkundër të ardhurave modeste të tij, Putini ka dëshmuar se pëlqen sendet luksoze. Ai rrallë mund të shihet pa ndonjë orë dore luksoze, ndërsa disa herë është zënë në fotografi duke mbajtur brende të shtrenjta orësh, përfshirë këtu llojet Patel Philippe Perpetual Calender (që kushton £70,000) dhe Breguet Marine (£15,000).

Nuk mund të thuhet se lideri rus nuk jep për bamirësi: dihet botërisht se ai u ka falur të tjerëve orë të llojit Blancpain që kushtojnë £11,000. Së pari një të tillë ia ka falur një bariu të ri, ndërsa më pas një të tillë ia ka falur, pak më me hezitim, një metalurgu që kërkonte nga lideri rus një shenjë kujtimi. Të dyja këto raste kanë ndodhur në prani të mediave.

Gjithsej, vlera e orëve me të cilat është fotografuar Putini është rreth £160,000. Kjo është një shifër marramendëse për një njeri që fiton jo më shumë se £80,000 në vit (përfshirë taksat).

Për këtë çështje kanë shprehur interesim edhe gazetarë të tjerë. Luke Harding ka raportuar për pasurinë e Putinit në gazetën Guardian për vite të tëra, gjë që ka bërë që atij ndërkohë të mos i lejohet fare hyrja në Rusi. Ai na tha, "ka pak gjasa që ai [Putini] apo punonjësit tjerë në administratën presidenciale të kenë sende me vlerë të tillë nëse nuk kanë të hyra shtesë”.

Ne e pyetëm edhe Kremlinin lidhur me këto orë. A ishin ato pronë e tij personale apo pronë e shtetit? Ata nuk na u përgjigjën.

Por, orët luksoze janë tejet diskrete në krahasim me jahtet dhe pallatet luksoze të tij.

Vendbanimet luksoze

Si president i vendit, Putini ka qasje në jahtin presidencial Chakya. Ky jaht i blerë gjatë sundimit të Medvedevit kushtoi 26 milionë funte. Në të gjenden gjashtë kabina luksoze, një bodrum verërash, xhakuzi, skara dhe lukse të tjera.

Jahti u ble me mjete të presidencës. Megjithatë, ekziston një tjetër blerje – ajo e një pallati në brigjet e Detit të Zi – e cila ndërlidhet direkt me pasurinë personale të Putinit.

Ky pallat që së fundmi u shit për 350 milionë funte flitet se u ndërtua si shtëpi pushimi për presidentin e porsazgjedhur rus.

Fotografitë e fshehura të këtij pallati zbulojnë interier të dekoruar, dysheme të punuara me dorë, portë të jashtme të zbukuruar me shqiponjë dykrenare dhe lift që shpie në plazh.

Siguria rreth këtij pallati është në nivel të lartë, ndërsa teli me gjemba dhe qentë që bënin rojë rreth tij bënë që raportuesit tonë të mos mund t’i afrohen fare. Putini mohon çfarëdo lidhje me këtë pallat, ndërsa pronari zyrtar aktual i tij thotë se ai është thjeshtë një ‘shtëpi pushimi’.

Megjithatë, një banor lokal pranoi se ka parë Putinin të ketë qëndruar në këtë zonë, ndërsa kur aktivistët për çështje mjedisore kaluan pengesat dhe hynë brenda oborrit të këtij pallati në vitin 2011, për të protestuar kundër ndërtimin të kësaj ndërtese brenda një zone të mbrojtur, ata u gjendën përballë Rojeve Federale të Sigurimit Shtetëror.

Sergei Kolesnikov, një biznesmen rus dhe ish-bashkëpunëtor i Putinit, thotë se ky pallat është ndërtuar për Putinin përmes një rrjeti transaksionesh me të cilin sigurohet se pronësia e tij do të mbetet anonime.

Bureau ka në posedim edhe dokumentet e kontratës së ndërtimit për punimet e kryera në këtë pallat, të cilat janë nënshkruar nga Vladimir Kozhin, udhëheqës i resorit për Zhvillim të Pronave të Administratës Presidenciale.

Pasuria e fshehur?

Por, nuk janë vetëm orët, jahtet e pallatet. Ka të tjerë që besojnë se deklaratat modeste të pasurisë së Putinit dhe pasuria e tij faktike thjesht nuk përputhen.

Stanislav Belkovsky, analist politik dhe kritik i Putinit, është ndër më të zëshmit në këtë kuptim. Ai pretendon se Putini mund të ketë pasuri me vlerë deri në 70 miliardë dollarë, shifër kjo që atë do ta bënte njeriun më të pasur në botë.

Kjo shifër e jashtëzakonshme bazohet në pretendimet se Putini mban aksione në tri kompanitë më të mëdha të derivateve të naftës dhe gazit natyror: 4.5% në ndërmarrjen kombëtare të gazit Gazprom, 37% të furnizuesit të derivateve të naftës Surgutneftgas dhe shumicën e aksioneve të një kompanie e cila nuk mund të përmendet për arsye ligjore. Kjo kompani mohon fuqishëm çfarëdo lidhje me Putinin.

"Në vitin 2007 u shfaq shifra prej 40 miliardë dollarësh. Kjo shifër mund të jetë rritur edhe më tej; unë besoj se ajo ka arritur lartësi prej rreth 60-70 miliardë dollarësh”, thotë Belkovsky.

Parashikimet e tij bazohen në informata të marra nga burime konfidenciale të këtyre korporatave, thotë Belkovsky. Por, ai heziton të zbulojë më shumë.

Të tri këto kompani kanë struktura të paqarta pronësore dhe është e pamundur që të identifikohen aksionarët e tyre.

Prodhuesi i gazit dhe derivateve të naftës Surgutneftegas mundohet të veprojë në mënyrë sekrete dhe kjo mënyrë e të vepruarit nuk i ka shkuar gjithnjë për shtati. Në vitin 2009, ai bleu 21.2% të aksioneve në kompaninë hungareze MOL. Megjithatë, kur Surgutneftegasi u paraqit për tu regjistruar si aksionar me të drejtë vote, kjo e drejtë iu refuzua. MOL tha se mungesa e transparencës sa i përket strukturës pronësore të kësaj kompanie nuk ishte në pajtim me të drejtën hungareze.

Gazpromi është kompania më e madhe eksploatuese e gazit në botë; Qeveria Ruse e kontrollon atë, duke mbajtur 50.002% të votave. Por, edhe pse Gazpromi është më transparent sa i përket strukturës pronësore, Belkovsky pretendon se aksionet e Putinit janë të fshehura përmes ‘një skeme jotransparente pronësore të kompanive dhe fondeve offshore’.

Gazprom dhe Surgutneftegas nuk i janë përgjigjur pyetjeve të parashtruara nga Bureau.

Megjithëse i ka përsëritur këto pretendime në disa raste, Belkovsky kurrë nuk është përballur me ndonjë veprim ligjor që do t’i kundërshtonte ato.

Në fakt, këto pretendime janë përmendur edhe në kabllogramet diplomatike të SHBA-ve, të cilat u zbuluan nga WikiLeaks, në të cilat flitet për lidhjet e Putinit me Gunvorin. Në këto dokumente, ish-ambasadori i SHBA-ve në Moskë, John Beyrle, përshkruante këtë kompani si një kompani ‘sekrete që vepron nga Zvicra dhe që merret me tregtim të derivateve të naftës’. Ai vazhdonte: ‘flitet se edhe Kryeministri Putin ka gisht në strukturën pronësore të kësaj kompanie e cila mëtohet të mbahet e fshehtë.’

Hulumtimi lidhur me Putinin

Gjatë rrugëtimit të gazetarëve të Bureau nëpër Rusi, ne hasëm në gazetarë të tjerë të cilët kishin bërë përpjekje për ta hulumtuar Putinin në të kaluarën.

Thellë në vise rurale, jashtë Shën Peterburgut, takuam Marina Salyle.

Më 1992, Salye kishte bërë hulumtime lidhur me një marrëveshje të arritur në Zyrat e Qytetit të Shën Petersburgut, për eksportimin e lëndës së parë në vlerë prej 100 milionë dollarë në këmbim për ushqime.

Sipas Salye, Putin kishte mbikëqyrur marrëveshjen, por edhe pse lënda e parë po transportohej nga qyteti, ushqimi i premtuar kurrë nuk kishte arritur. Ajo deri në vdekjen e saj para ca kohe kishte akuzuar Putinin për përfitime personale nga kjo marrëveshje e papërfunduar.

Kremlini pohoi se Putini kurrë nuk e kishte nënshkruar dokumentin e autorizimit, ndonëse Salye kishte dokumente të cilat, siç pohonte ajo, përmbanin nënshkrimin autorizues të Presidentit të zgjedhur.

E në Shën Peterburg, Nënkoloneli Andrei Zykov, ish Hetues i Lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Rusisë, e përshkruante punën e tij duke i hedh një sy të kaluarës së Putinit.

Në qershor 1999, kur Putini ishte duke shërbyer mandatin e tij të parë si President, Zykov ishte vënë në krye të rastit penal me numër 144 128.

Rasti përfshinte një kompani të ndërtimit të quajtur Twentieth Trust, zyrtarë të së cilës dyshohej se kishin vjelë para nga buxheti i qytetit Shën Peterburg në fillim të viteve 1990. Zykov pohon se Putin nga kjo marrëveshje ka përfituar një vilë spanjolle.

Hetimi ishte mbyllur në bazë të ‘provave të pamjaftueshme’ dhe, sipas Zykov, ai është shkarkuar nga detyra një vit e gjysmë më vonë.

Ne kërkuam nga Kremlini që të ofrojë përgjigje ndaj pretendimeve të z. Zykov. Megjithatë, kjo kërkesë nuk u përfill.

Në ditët e hershme të mandatit të parë të tij si President, Putin kishte premtuar se do ta pastronte Rusinë nga oligarkët e korruptuar të saj.

Megjithatë, gjersa tani po përgatitet për ta marrë mandatin e tij të tretë si prijës i Rusisë, atë e pret një jetë luksoze e ngjashme me atë të carit.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus