Kryesore » 2011 » Maj » 7 » Historia e ulqinakëve që kanë lyer Shtëpinë e Bardhë(+Foto)
10:42 AM
Historia e ulqinakëve që kanë lyer Shtëpinë e Bardhë(+Foto)
Mes shqiptarëve në Amerikë gjen personazhe e histori nga më interesantet. Gjatë përgatitjeve për festimin e 20-vjetorit të gazetës "Illyria” rasti e solli të takohesha me një shqiptar, i cili bashkë me dy vëllezërit e tij, kanë pasur fatin e rrallë që të merreshin me lyerjen e Shtëpisë së Bardhë, duke përfshirë edhe mjediset ku punon presidenti Barack Obama, si dhe ato private ku jeton familja e tij, shkruan kryeredaktori i gazetës në gjuhën shqipe që del në SHBA, Vehbi Bajrami.
Kontrata të tilla nuk i jepen çfarëdo kompanie. Mirëpo, në këtë rast, bëhet fjalë për një nga më të mirat në këtë biznes, një që në listën e saj të klientëve përfshinë personazhe të mëdhenj të jetës amerikane, institucione të njohura të politikës e biznesit.
Njeriu që drejton këtë kompani dhe që është besuar për lyerjen e ndërtesës më të rëndësishme në SHBA është Marash Elezaj, me prejardhje nga Ulqini, me banim në New York. Disa mund ta njohin si babanë e këngëtares së re, Kristina Elezaj, e njohur mes fansave të saj si "Kebe” dhe e prezantuar në botën e muzikës amerikane nga legjendat e shtëpisë diskografike "Motown”, Nick Ashford dhe Valerie Simpson.
Kristina do të interpretojë në kremtimin e 20 vjetorit të gazetës "Illyria” në Manhattan, më 22 maj.

Vetë Marash Elezaj është një njeri i qetë, i cili sukseset ia dedikon babait Zef Gjon Elezajt, ardhur nga Ulqini në Amerikë më 1970. Babai i tij, pasi mësoi mirë punën e bojatisjes, në më pak se dy vjet hapi kompaninë "Elezaj LTD”, e cila që nga ajo kohë ka njohur vetëm suksese.
"Babai qe një punëtor i palodhur, me aftësi të jashtëzakonshme në profesionin e tij. Ndonëse ka vite në pension, edhe sot mua dhe dy vëllezërve na jep këshilla shumë të vlefshme, të cilat na ndihmojnë të kemi sukses në punën tonë”, thotë Marashi, në një intervistë për "Illyria”.
Një nga këshillat e babait të tij është: Jepi klientit më shumë se sa që ai pret.

"Si shqiptar, ai kurrë nuk u dorëzua. Pasi nënshkruante kontratat dhe u jepte fjalën klientëve, ata gjithmonë ndaheshin të kënaqur me punën e tij. Ne po vazhdojmë të punojmë sipas mësimeve të tij”, thotë Marashi.
Klientë të kompanisë së tij janë figura të shquara të artit, sportit, biznesit e politikës. Disa prej tyre janë yje të muzikës si Madonna, Mick Jagger, Bon Jovi, Paul Simon, Billy Joel etj. Kompania e tij, përveçse në New York, ka bërë punë edhe në shtete të tjera, si në Dallas (ku ngjyrosi shtëpinë e pronarit të Texas Rangers), në Florida, Utah, New Mexico e deri në Bahame.
Kompania "Elezaj LTD” nuk ka website siç kanë shumë kompani të njohura. Ajo nuk ka bërë kurrë reklamë në gazeta, radio e TV. Emrin e madh e ka krijuar me kualitet e punë të përkryer. Një klient i kënaqur e rekomandon këtë kompani te një tjetër dhe kështu numri është i klientëve shtohet vazhdimisht.
Ka qenë ky zinxhir rekomandimesh që në vitin 2009 ka bërë që të marrë një kërkesë të pazakontë: të lyejë banesën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një moment vlerësimi profesional dhe njerëzor, një shprehje e konsideratës për punën e vëllezërve Elezaj dhe e besimit maksimal për kompaninë e tyre.
"Besoj se emri i mirë që kemi krijuar në biznes ka qenë arsyeja kryesore”, thotë Marashi, i cili drejton kompaninë bashkë me vëllezërit Pjetrin dhe Nikollën.
Përgjegjësia ishte sigurisht e madhe, por e tillë ishte edhe krenaria profesionale dhe atdhetare.

"Gjithmonë jemi përpjekur të bëjmë punë nga e cila klientët janë ndarë të kënaqur”, thotë ai.
Për shtatë muaj me radhë ata kanë lyer me ngjyrat e kërkuara të gjitha dhomat në pjesën e kompleksit të Shtëpisë së Bardhë që përdoret tradicionalisht si banesë private nga presidentët e Amerikës. Ata lyen dhomën e fjetjes së presidentit, të familjes, si dhe të gjitha dhomat e tjera të përdorimit të përditshëm. Përveç tyre, ishin edhe dhomat e fjetjes së presidentëve që i paraprinë Barack Obamas.
Kompania "Elezaj LTD” bën punë të sofistikuar dhe luksoze, në mure e mobilie, me kombinim ngjyrash nga më të ndryshmet, ashtu siç kërkojnë klientët. Çmimet e saj janë mjaft të shtrenjta, por lista e klientëve të shquar ka njohur vetëm rritje.
"Në kuptimin afatgjatë, nuk është dhe aq shtrenjtë”, shpjegon Marashi. "Kur ne lyejmë muret e një banese private apo zyrtare e tregtare, për 30 vjet nuk ka më nevojë për një ngjyrosje tjetër”.
Lidhja e fortë familjare është një tjetër çelës i suksesit të kësaj kompanie. Familja Elezaj ka sot mbi 20 anëtarë dhe të gjithë jetojnë afër njëri-tjetrit në periferinë e New Yorkut.
"Punojmë bashkë, merremi vesh shumë mirë në biznes dhe jetojmë afër njëri-tjetrit”, tregon Marash Elezaj. "Mbi të gjitha, jemi të kënaqur për mundësitë që na dha ky vend i bekuar, si në biznes, ashtu edhe në aspektet e tjera të jetës. Nuk ka si Amerika”, përfundon ai.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus