Kryesore » 2012 » Maj » 17 » 6 alpinistë shqiptarë në çatinë e botës, Everest, brenda 29 majit
5:32 AM
6 alpinistë shqiptarë në çatinë e botës, Everest, brenda 29 majit
Brenda datës 29 maj ekipi i alpinistëve shqiptarë pritet të ngjitet në çatinë e botës, majën e Everestit, 8.848 m, ku do të vendosin flamurin kombëtar kuq e zi në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, Burime nga ekipi i alpinistëve bënë me dije për agjencinë e lajmeve NOA.al se të gjithë alpinistët do të mund të ngjiten deri në lartësinë 7.700 apo 7.900 metra, ndërkohë që arritja në majën e Everestit do të jetë sfida finale rezultatin e së cilës pritet ta mësojmë brenda datës 29 Maj.Ekipi i alpinistëve të Shoqatës Dajti Alpino-Turistik, i cili synon të ngjisë majën Everest (8.848 m), përbëhet 6 alpinistët Xhimi Begeja, Gjergj Bojaxhi, Fation Plaku, Gerti Pishtari, Erlin Rudho dhe Mat’heo Begeja.

Alpinistët janë stacionuar dy herë në Kampin Bazë të Përparuar (ABC) në lartësinë 6.400 metra.

Prej këtu ekipi i është nënshtruar në të dy herët procesit të aklimatizimit.

Herën e parë ekipi është ngjitur deri në lartësinë 6.800 metra dhe jo më lart për arsye të kushteve të motit të papërshtatshëm.

Herën e dytë ekipi i është nënshtruar përsëri procesit të aklimatizimit duke u ngjitur deri në lartësinë 7.400 m, me fjetje në një kamp të ngritur më sipër, në Kampin 1 (7.100 m). Por, për shkak të motit të papërshtatshëm ekipi i alpinistëve shqiptarë nuk ka mundur të ngjitet më lart.

Burime nga ekipi thonë për noa.al se "prej katër ditësh ekipi ndodhet në Kampin Bazë (BC) në lartësinë 5.000 m për çlodhje ose thënë ndryshe për të kaluar një periudhë kohe duke ushqyer organizmin me më shumë oksigjen. Zhvillimi i elementëve atmosferikë në lartësitë e malit Everest do ta detyrojë ekipin të qëndrojë i stacionuar në BC deri më datën 19 (sipas parashikimit të motit)”.

Më datën 20 maj parashikohet që ekipi të niset për të sulmuar majën e Everestit.

"Çdo anëtar i ekipit do të jetë në të njëjtin litar pune/sigurimi me një alpinist sherp, anëtar i kompanisë Monark Mountain Adventures Nepal, me të cilën shoqata shqiptare ka lidhur kontratë për udhërrëfyes”, theksojnë burime nga ekipi.

Në rrugën drejt majës ekipi i alpinistëve do të kalojë nëpër këto kampe:

Kampi i ndërmjetëm 5.700 m

Kampi Bazë i Sipërm (ABC) 6.400 m

Kampi 1: 7100 m

Kampi 2: 7700 m

Kampi 3: 8300 m. Prej këtu do të bëhet sulmi për në majë, gjë që parashikohet të ndodhë më datën 26 ose 27 Maj.

"Kur alpinistët shqiptarë të arrijnë në Kampin 3 do të kenë mundësi të flenë vetëm pak orë, përafërsisht nga pasditja deri në orën 20:00. Kjo ngase si rregull nisja prej këtu bëhet në orën 21:00 ngaqë në Faqen Veriore të majës së Everestit nata është pa erë, por jo dita. Nga kjo faqe, e cila shtrihet në territorin e Tibetit Kinez, këtë vit parashikohet të tentohet ngjitja e majës Everest nga rreth 160 alpinistë të mbledhur nga disa shtete të botës. Ekipi beson se deri në lartësinë 7.700 apo 7.900 metra të gjithë do të munden të ngjiten. Ngjitja në lartësi më të madhe dhe arritja në majën e Everestit do të jenë sfida finale rezultatin e së cilës do ta mësojmë, besoj, brenda datës 29 Maj. Urojmë të ndodhë!”, thonë alpinistët.

Anëtarët e ekipit në mesazhet e tyre thonë se janë të motivuar 100 % për të ngjitur majën e Everestit.

"Vetëm aty e kam mendjen. Kam një vit që stërvitem vetëm për të arritur majën. Tani për tani nuk më intereson asgjë tjetër. Të gjithë shpresojmë të kemi shëndet të mirë. Mos na daltë ndonjë gjë e papritur! I gjithë ekipi ndjehet mirë dhe të gjithë do e synojnë majën, por se si do të shkojnë punët deri në fund, kjo ngelet për t’u parë”, thotë njëri nga anëtarët e ekipit të alpinistëve shqiptarë.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus